Shteti i marrë peng
Shteti si krijesë artificiale, lindur nga nevoja njerëzore,udhëtoi dhe u ndryshua gjatë udhës varësisht nga shkalla e zhvillimit njerëzor,për të ardhur këtu ku vetëdija njerëzore e përcepton atë si diçka që i përket të gjithëve dhe që duhet të jetë në shërbim të të gjithëve.Megjithatë mendja njerëzore është e manipulueshme. Dhe pikërisht kjo mendje kolektive e manipuluar ia jep dikujt pushtetin ose duron keqqeverisjen e dikujt. Duron qeverisjen e një grupi që qeverisë për interes të vetin e jo për interes të përgjithëshëm.
Pra,për dallim nga e kaluara,tani pushteti nuk merret a mbahet me dhunë, por merret a mbahet duke manipuluar mendjen kolektive, gje që në vendet pa traditë shtetrore ose me traditë të deformuar, kjo gjë ka rezultuar të mos jetë e vështirë.Këtu kur njerëz të caktuar bashkohen me qëllim që ta marrin pushtetin, analizojnë rrugët që të qojnë tek pushteti dhe me të drejt vijnë në përfundim që rruga më e sigurt dhe më e lehtë për të ardhur në pushtet është rruga e manipulimit. Dhe që pushteti tu zgjasë sa më shumë duhet që këndellja kolektive të mos ndodh, e këtu duhet edhe ndihma e opozitës të cilës si kundërshpërblim për monopolizim të kritikës dhe mbajtje nën kontroll të pakënaqsisë popullore, gjithashtu i lihet hapsirë e mjaftueshme për përfitime të paligjshme. Këtu tani krijohet një klasë politike që merrë peng shtetin.
Pra siq u pa shteti mund të merret peng vetëm nga klasa politike e jo nga partia politike,
e cila në mesin e një klase politike të ndershme patjetër që do të reformohej sepse në mos ndërgjegja,frika se do të dënohet kur tjetri ta marrë pushtetin patjetër që do ta ndal, por kur kjo frikë nuk egziston sepse edhe atij tjetrit që mund ta marrë pushtetin i është dhënë qasje në përfitime dhe në shkelje të ligjit atëherë keqpërdorimet rrjedhin lirshëm dhe njerëzit rregullojnë pozitat e tyre e pasurohen si me magji.
Tani sido që i vendos populli, në pozitë apo opozitë, në njëfarë mënyre të dy palët janë në pushtet dhe përveq qëllimeve të tjera kanë edhe një qëllim të përbashkët, manipulimin e mendjes kolektive, ku lufta kundër të këqijave të tjetrit bëhet luftë kundër tjetrit. Lufta qëllimisht shëndërrohet në diçka personale e jo parimore, me tendencë të krijoj huti, e të personalizojë e të privatizojë edhe pushtetin edhe kujdesin për mosdevijim të pushtetit.Qëllimisht kritikohet çdo gjë, qoftë e mirë apo e keqe. Kështu i humbet vlera kritikës, humb qartësia e nevojshme për t’i parë gjërat drejt, vazhdohet amullia aq e nevojshme që mban në skenë këtë klasë politike, pozitë apo opozitë. Këtu tentohet të mbyllen të gjitha shtigjet. Dhe kur shtigjet të jenë mbyllur atëherë si pozita,si opozita do ta ndjejnë veten rehat dhe do të përqëndrohen në marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, ku edhe gjatë armiqësive të njëmendta që krijohen gjatë këtij procesi, ata nuk do t’i tregojnë disa gjëra për njëri tjetrin.
Tani t’i lëmë përgjithsimet e të marrim një shtet të veqant, p.sh. Kosovën të cilën autori e njeh më mirë, dhe përmes këtij shteti, të përpiqemi të përforcojmë atë që u tha më lart.
Shteti i Kosovës i cili egzistonte edhe para se të shpallej, megjithëse nuk ishte e nuk është shtet i mirëfillt për shkak të një pranie ndërkombtare që ka hise në pushtet, siq kishte hise në krijimin e shtetit, u trajtua në mënyrë shumë të papërgjegjshme nga klasa politike shqiptare e cila me çdo të drejt e mbi të gjitha me të drejtën natyrore duhej të merrte përsipër zhvillimin e përgjithshëm të vendit duke pas për bazë interesat e shumicës. Por kjo klasë politike mbi të gjitha u kujdes që të rehatonte veten,ku pothuajse të gjitha partitë dhe grupet tjera varësisht nga shkalla e ndikimit,si në një shoqëri aksionare morën pjesë në ndarjen e përfitimeve që rridhnin nga „puna në dobi të përgjithshme“.Grupimet kundërshtare me ndikim,me apo pa presion i ndanë hapsirat e përfitimit.Këtu do të kishin dobi të gjithë, si njerëzit e pozitës si të opozitës,të cilët megjithëse dijnë të jenë armiq jo vetëm me fjalë, kurrë nuk i përmendin njëri tjetrit punët e errëta konkrete, gjegjësisht nëse ndonjëri përshkak të inatit të papërmbajtshëm tejkalon kufijtë e „mirësjelljes“ dhe i përmend tjetrit ndonjë vepër penale konkrete atëherë ky tjetri e paditë në gjykatë për shpifje dhe qështjes s’i gjendet përgjigja, sepse edhe gjykata këtu është e pavarur vetëm në letër. Përafërsisht një rast të tillë e kishim kur Bujar Bukoshi kallzoi në mënyrë shumë konkrete Adem Saliajn për blerje të postit të ministrit. Ky i fundit e demantoi këtë dhe paditi Bukoshin për shpifje,por zakonisht mungonte në seancat gjyqsore, kështu që gjykata konsideroi se i njëjti ka hequr dorë nga padia.Kështu u mbyll kjo qështje. Këtu nuk u përfshi prokuroria.Qështja u trajtua thuajse bëhej fjalë për blerjen e një biçiklete të cilën pala tjetër s’e pranonte ta kish bërë, e jo për blerjen e një posti ministror. Akuzat dolën jasht kontrollit edhe në mes të Ramush Haradinajt dhe Adem Grabovcit(i cili ishte zëdhënës i eprorit), por edhe me këtë qështje nuk u morën organet e drejtësisë. Akuza konkrete të cilat shteti nuk i dëgjon ka edhe nga shoqëria civile, ndërsa nga partit politike, kryesisht ato opozitare janë shumë të rralla. Partitë opozitare akuzojnë pushtetin se ka korrupcion, krim të organizuar e akuza të tjera të përgjithësuara por pa përmendur vepra konkrete.
Pozita dhe opozita (grupet elitare) me qëllime të qarta për përfitim, shpërlarje të parave, monopolizim të sektorëve tregtar etj., rekrutojnë njerëz në sektorë shtetror, të cilët aktivisht ose pasivisht iu ndihmojnë në arritjen e këtyre qëllimeve. Dhe këtu më së paku duhen profesionist të mirëfillt. Por meqë pozitat e caktuara, ligjërisht kërkojnë kualifikime përkatëse këta duhet të kenë nën kontroll edhe univerzitetin ku do të pajisen me diploma njerëz të caktuar. Këso njerëz me diplomë e pa dije, që kanë falsifikuar veten e jo diplomën, ka sot me bollëk në institucionet e Kosovës, bile në pozita udhëheqëse. Me këtë ushtri të njerëzve të paaftë shteti është veqse invalid, dhe atë me një shkallë të lartë të invaliditetit.
Këtu rol të rëndësishëm kanë edhe mediat e kontrolluara, të prekuara kush më shumë e kush më pak, të cilat maskojnë realitetin për aq sa është e mundur, ndriqojnë gjërat e mira dhe errësojnë të këqijat. Sipas porosisë promovojnë analistë të „pavarur“ politikë të cilët thonë atë që duhet thënë. Gjithashtu shoqatat joqeveritare që kanë shitur zërin kritik kontribojnë që klasa politike në tërësi e partia politike në veqanti, ta kenë rehatinë e duhur.
Dhe pikërisht kjo klasë politike, e cila funksionon më së paku në bazë të ligjit, është njesuar me shtetin. Këta janë bërë shteti vetë, kanë marrë peng shtetin, e veqanërisht të mirat shtetrore. Këta s’i kap ligji.
Por siq u tha e siq dihet,populli vendos edhe për pozitën edhe për opozitën dhe populli një ditë do të lodhet nga zhurma e porositur mediatike që ka për qëllim të mbys zërat e kritikës argumentuese, do ta lodh e do ta zhgënjej mospërparimi në asnjë fushë dhe do ta „harroj“ këtë klasë politike për të zgjedhur njerëz më të denjë qe ta udhëheqin. Që këndellja të ndodh më shpejt dhe dëmet të jenë më të vogla, do të ndihmojnë shumë mediat e pavarura dhe shoqëria e njëmendtë civile, forcimi i të cilave veqse i bënë mirë shtetit, gjegjësisht i bënë mirë vetëdijes kolektive e cila në shkallë të fundit përcakton cilësinë e qeverisjes.
Habib Reshtani